Se ç’do të thotë ‘Interior Design’, e kam mësuar nga një …. dhomë hoteli !

muc nano_0

Nga bisedat që kam bërë me miq të mi lidhur me përvojat e tyre të para jashtë vendit pas vitit 1990, kam vënë re se, në përgjithësi, atyre u kanë mbetur të gdhendura në mendje të njëjtat gjëra, dmth rrugët e mira e të gjera, makinat e bukura, qytetet plot hapësira, ndërtesat shumëkatëshe, parqet e mëdha me shatërvane e vepra arti, njerëzit e veshur e të mbathur për bukuri, dyqanet e mbushura si në përralla, revistat e modës, etj, etj.

Dhe në të gjitha këto vëzhgime, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, nuk ka patur asgjë që nuk shkon. Kanë qenë vëzhgime logjike, të natyrshme, të kuptueshme, pasi ne dilnim nga një botë, ku këto gjëra ose mungonin, ose ekzistonin si forma surrogato (fjala vjen, ata kishin mall-et e tyre, por ne kishim mapot tona; ata kishin ‘Victoria Station’ apo ‘Stazione Termini’, por ne kishim stacionin tonë pa emër në Tiranë; ata kishin Claudia Schiffer-in e Naomi Campbell-in, por ne kishim çupat tona që, pasi visheshin si të mundnin, shpesh duke huazuar nga sho-shoqja ndonjë plaçkë, organizonin çdo mbrëmje një ‘fashion show’ të paparë në bulevardin kryesor të Tiranës).

Mirëpo ka diçka që këto vëzhgimet e mësipërme i uniformizon, dhe kjo diçka është tërheqja prej fuqisë materiale të perëndimit, është magjia pra që kjo e fundit ushtronte mbi ne që dilnim nga mbretëria e mizerjes. S’do mend që edhe mua, si të tjerëve, ndoshta më shumë se të tjerëve, më lbyreshin e terratiseshin sytë prej kësaj magjie, por më pas, perëndimi më ka ndjellë e më ka thëthirë edhe me gjëra të tjera, madje kryesisht me gjëra të tjera, siç janë teatrot, muzeumet, libraritë, etika publike, dialektika demokratike, marrëdhënia me punën, me rregullat, me fenë, me lirinë, shkurt me – për ta thënë në atë që në ditët e sotme është një lingua franca – the way of living and thinking. Por në krye të herës, përsëris, më ka trallisur mbrothësia e konsumizmi. Dhe tani po dal atje, ku doni ju që të dal.

Më kanë bërë përshtypje dhe disa gjëra të tjera, të cilat janë kombinim i fuqisë ekonomike me shijet e me idetë e rafinuara, ose thënë ndryshe, janë kombinim i parasë me kulturën. Një gjë e tillë është, fjala vjen, ajo që ne më pas zumë ta quanim në stilin italian ‘arredim’, e që ju arkitektët e quani – sërish në lingua franca – Interior Design. (Fjala gjegjëse këtejpari, para vitit 1990, ishte një term që duhet të jetë shpikur në ndonjë zdrukthtari: mobilim).

Ishte një botë që m’u hap për herë të parë para syve. Gjithë jeta ime ishte harxhuar brenda një apartamenti që në zhargonin e asaj kohe quhej ‘dy dhoma e një kuzhinë’ (përfytyroni: në kuzhinë flinte gjyshja me dy motrat e mija); ishte harxhuar nëpër lohale e hapësira të arreduara në një mënyrë frikshmërisht të njëjtë. Nuk di pse jam i sigurtë se duhet të ketë ndonjë mekanizëm, nëpërmjet të cilit ky standardizim i jetës, sidomos këto apartamente banimi të ngushtë të mbushura me mobilje dosido të hedhura kuturú, janë të lidhura me (ndoshta edhe e shpjegojnë) një lloj zvetënimi moral a çoroditje psiko-mentale, që janë demonstruar pa hesap në jetën publike këtyre anëve gjatë dy dekadave të fundit. Ka pasur më shumë se një rast kur, i gjendur në debate të natyrës akademike që kanë synuar t’i përgjigjen pyetjes, se pse “ne shqiptarët kemi hequr më keq se të tjerët pas rënies së Murit të Berlinit”, kam pasur në majë të gjuhës shpjegimin disi fluturak: burimi i të keqes duhet kërkuar tek ato apartamente të ngushtë, ku të merrej fryma (‘dove nascono i bambini/che hanno giá le rughe’, thotë në një këngë të vetën italiani Celentano, ku flet për apartamente të tillë). Shihja filmat e huaj atëbotë, e ndonjë pamje më mbeste në mendje. Syri im ka qenë afërmendsh i pastërvitur, por ndonjë ‘interior design’ i bërë në mënyrë ca si shumë trillane a nazike ma rrëmbente shikimin. E në këtë kuptim, nuk isha tabula rasa. Por sidoqoftë, ka pasur një rrethanë konkrete, kur unë preka sefte me sytë e mij, dhe me duart e mija, një ‘interior design’.

Ka qenë viti 1991, kur dola për herë të parë jashtë vendit, dhe kjo rrethanë nuk ka të bëjë, siç mund të mendohet, me ndonjë mansion, pronë e ndonjë pasaniku a aristokrati, por ka të bëjë me – shpresoj të mos kapeni në befasi e të mos më përqeshni – dhomën e hotelit, në Konstancë, një qytet në kufirin gjermano-zviceran. Ishte një dhomë e zakonshme hoteli, por ish hera e parë në jetën time që unë e pashë veten brenda një hapësire arkitektonike që më rrinte mirë, dmth e kishin arreduar atë dhomë në mënyrë të tillë që të krijohej një marrëdhënie e drejtë mes nevojës që ka njeriu për një minimum të nevojshëm gjërash dhe nevojës për të marrë frymë lirisht brenda dhomës. Përveç kësaj, unë zbulova në atë rast se arredimi i një hapësire arkitektonike, sado e vogël qoftë kjo hapësirë e cilido qoftë qëllimi i asaj hapësire (zyrë, dhomë gjumi, banjë, restorant, studio, etj, etj) nuk është “blej mobilje e mbush dhomën”, por është një kokëçarje kreative, është një punë prej artisti buzëhollë, që jo vetëm synon të bëjë të përmbushësh disa nevoja bazike, si të flesh, të hash, të bësh kakën e çiçin, të shohësh TV, të lexosh, të bësh seks, etj, por shkon shumë më tutje, synon të krijojë një hapësirë ‘a misura d’uomo’ (nuk ka rëndësi nëse ti kalon një natë, apo një jetë), një hapësirë që të bëhet vetvetiu e jotja me ngjyrat, me aromën, me ndriçimin, me zhurmat e lehta (meqë jemi te zhurmat, e keni vënë re që çdo dhomë ka shushurimat e veta? Ose po ua bëj pyetjen ndryshe: e keni ndjerë ndonjëherë shushurimën e një dhome ku nuk pipëtin asgjë?), etj.

Kur jam kthyer në Shqipëri pas atij udhëtimi, ndërsa të tjerët prisnin t’u tregoja se ç’kisha parë në Gjermani, unë më shumë se te gjithçka tjetër u ndala tek ajo dhomë hoteli; dhe mbaj mend që i flisja time’mëje për derën e dhomës, që ish prej druri të errët, për perdet e rënda, për ngjyrat e mureve, për dritaren e madhe që shihte në drejtim të një parku, për banjon e madhe (nuk kisha parë ndonjëherë banjo më të madhe se sa ajo, sidoqë ish një banjo hoteli), për abazhurët, etj. O Zot, sa shumë gjëra pashë e preka në atë dhomë hoteli që, tok me banjon, nuk ish më shumë se 25 metra katrorë. Të kuptohemi, unë edhe sot nuk është se di ndonjë gjë të madhe përsa takon këtij lëmi. Gjithçka di, e kam mësuar në atë dhomë hoteli. 24 vjet më parë. Më pas, kam parë shumë gjëra ku e ku më të sofistikuara, por nuk është se më kanë mësuar gjë. Unë thjesht i kam shijuar ato.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Translate »